Lajme Shqip Saturday, 23 July 2011 18:04

Prishtinë – Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Besim Beqaj, bëhet e ditur të jetë ankuar nëpër disa qarqe diplomatike, në ambasadat në Kosovë, ndaj zv/kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacollit.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) nëpërmjet një kumtese për media ka reaguar pas shkrimeve në media dhe deklaratave të zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, lidhur me ankesat dhe akuzat që janë bërë në ambasada.

Sipas MZHE-së, ministri Besim Beqaj duke realizuar detyrat, obligimet dhe përgjegjësitë e funksionit të ministrit është i përcaktuar fuqishëm për zbatimin e ligjit, politikave, vendimeve dhe përcaktimeve të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, ashtu siç e parasheh përgjegjësia institucionale dhe morale e detyrës së Ministrit.

Në reagimin e lëshuar nga Zyra për Informim e MZHE-së që e ka titulluar “Ministri Beqaj i përcaktuar fuqishëm vetëm në zbatimin e ligjit”, thuhet se çdo vendim apo veprim i ministrit ka për bazë ruajtjen e interesit ekonomik të vendit, transparencën, konkurrencën e lirë në treg dhe ruajtjen e ligjshmërisë.

“Çështjet që lidhen me funksionimin e institucioneve i debaton dhe i trajton brenda institucioneve në nivel të kolegialitetit dhe partneritetit. Ai nuk dëshiron të merret me teori të konspiracionit”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, Behgjet Pacolli ka mohuar të shtunën të ketë kërcënuar partnerin e koalicionit ashtu siç është raportuar në disa media pas akuzave që thuhej se i ka bërë Besim Beqaj.

Pacolli tha se qeverisja aktuale është më e mira që ka pasur Kosova që pas mbarimit të luftës, ndërsa paralajmëroi se sipas marrëveshjes për qeverisje, nga muaji shtator AKR-ja do të udhëheq edhe me një ministri.

Sipas raportimit të disa medieve, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, është ankuar nëpër ambasada duke akuzuar zv/kryeministrin Behgjet Pacolli se po punon vetëm për interesa personale. (LajmeShqip.com)