Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 15:07

Prishtinë – Zv/kryeministri i Republikës së Kosovës dhe ministër i Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviç, i cili e përfaqëson komunitetin serb, thotë se nuk duhet të ketë ndarje etnike.

“Përfaqësuesi më legjitim në institucionet e Kosovës i bashkësisë serbe në vend, nuk pranon që veriu i Kosovës të ketë status special, apo të ndahet nga Kosova.

Sipas tij, statuset speciale krijojnë precedente dhe janë zgjidhje të tejkaluara”, shkruan sot shtypi i Prishtinës, në një intervistë me Petroviç.

“Duhet llogaritur se nëse ndodh që problemi i Mitrovicës të mos zgjidhet ashtu siç duhet, do të ketë pasoja në krejt rajonin. Nëse shkojmë në ndarje mund të hapet çështja e Sanxhakut, e Luginës së Preshevës, Maqedonisë, gjë që nuk është në interes të askujt”, thekson ai.

Petroviç shton se “ajo që ka ndodhur në ish- Jugosllavi, na tregon më së miri se çfarë zgjidhjesh janë të vlefshme dhe cilat janë të pavlefshme”.

“Ajo që unë shoh, dhe që s’duhet që të tjerët të më keqkuptojnë, është se zgjidhja më e mirë për serbët e veriut do të ishte modeli i Sllavonisë lindore. Kjo në mënyrë që të mos ketë më skenarë të këqij”, ka thënë Petroviç në një intervistë për “Koha Ditore”.

Zëvendëskryeministri dhe ministër i Pushtetit Lokal, duke folur për regjistrimin e popullsisë që fillon të premten, ka thënë se pret që qytetarët të dalin t’i njohin interesat e tyre. Ne i dimë përgjegjësitë që i kemi. Para së gjithash i përcjell porosi bashkësisë serbe, se regjistrimi do të jetë në interes të të gjithë atyre.