Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 17:43

Prishtinë – Në ditën e pestë të regjistrimit të popullsisë, ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar dhe kryeshefi ekzekutiv i Entit të Statistikave të Kosovës, Ibrahim Shabani kanë parë nga afër procesin e regjistrimit tek Familja Kurteshi në Prishtinë, me ç’rast kanë vlerësuar se ky proces po shkon mirë dhe në mënyrë të rregullt.

Mbarëvajtja e procesit të regjistrimit ditën e martë nga drejtuesit e institucioneve është bërë në familjen e të moshuarve Reshat dhe Myrvete Kurteshi, në rrugën “Zija Prishtina”, përkatësisht në pikën 44 të regjistrimit në Prishtinë.

Ministri Jagxhillar ka thënë se ky proces po shkon ashtu siç është paraparë, por shprehu nevojën e një sensibilizimi edhe më të madh tek qytetarët rreth regjistrimit.

Sipas tij, me regjistrim do të bëhet një planifikim më i mirë edhe nga aspekti socio-ekonomik dhe në atë demografik.

I pyetur të shpjegojë arsyet e mos regjistrimit të fëmijëve (nën moshën 1 vjeçare) që kanë lindur në Kosovë dhe tani janë jashtë, Jagxhillar tha se kjo nuk paraqet ndonjë problem, pasi plotësohet më vonë sipas ligjit për banorët rezident.

Nga ana tjetër kryeshefi i Entit të Statistikave të Kosovës, Ibrahim Shabani është shprehur i kënaqur me ecurinë e procesit të regjistrimit të popullsisë, duke thënë se ky proces është duke shkuar sipas planifikimeve.

I pyetur se deri në ditën e pestë sa banorë janë regjistruar, Shabani nuk ka dhënë shifra të sakta, por pohoi se afërsisht janë regjistruar gjysmë milioni banorë.

Ndryshe procesi i regjistrimit të popullsisë i cila ka filluar më 1 prill do të vazhdojë deri më datë 15 prill. Gjatë këtyre ditëve do të bëhet regjistrimi i individëve, ekonomive familjare dhe banesave. Kjo do të ofrojë një fotografi të gjendjes demografike dhe socio-ekonomike në Kosovë. Regjistrimi i popullsisë po bëhet në Kosovë për herë të parë pas 30 vjetësh, ndërkaq ritmi normal i regjistrimit të popullsisë në bazë të standardeve ndërkombëtare bëhet një herë në 10 vjet.