Lajme Shqip Monday, 10 September 2012 15:50

Prishtinë (PLOTESUAR 10 SHTATOR 19:15)- Presidentja Atifete Jahjaga, ka thënë se Republika e Kosovës është faktor paqeje dhe stabiliteti që zhvilloi marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bilaterale me një varg shtetesh. “Republika e Kosovës është faktor paqeje dhe stabiliteti që zhvilloi marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bilaterale me një varg shtetesh, duke qenë subjekt i barabartë ndërkombëtar dhe duke dhënë kontributin tonë e duke fuqizuar si faktor, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë”, ka theksuar Jahjaga.

Duke folur për dialogun, Jahjaga ka thënë se institucionet e Kosovës do të dialogojnë me qytetarët serbë që jetojnë në veri të Mitrovicës, duke arritur kështu mirëkuptimin se veprimi brenda institucioneve jep rezultate më të mira.“Në demokracinë tonë qytetare dialogu i brendshëm me mirëkuptim dhe besim të ndërsjellë është parim i veprimit të institucioneve. Ne do të dialogojmë me qytetarët tanë në tri komunat e territorit tonë të Kosovës, duke arritur mirëkuptimin se veprimi brenda institucioneve, qeverisja në nivel komunal, ashtu si dha rezultat në të gjitha komunat e tjera të Kosovës, do të jenë e suksesshme edhe në këtë pjesë të territorit, duke u mundësuar qytetarëve nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të zgjedhin përfaqësuesit dhe udhëheqësit e tyre legalë dhe legjitimë dhe të përfaqësojnë interesat e tyre”, ka deklaruar presidentja e vendit.

Ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi, ka thënë në këtë rast se kur është në pyetje interesi i shtetit, faktori politik në vend gjithmonë e ka dëshmuar se është bashkë. Shefi i Qeverisë së Kosovës, ka falënderuar të gjitha shtetet që e kanë mundësuar që Kosova të arrij deri këtu. “Sikurse atëherë, ashtu edhe sot, pozita dhe opozita në Kosovë gjithmonë janë bërë një kur kanë qenë interesat e Kosovës në pyetje. Procesi i Vjenës do të kulmonte me planin gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, i cili propozonte pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovës. Përkundër kompromiseve ne pranuan planin dhe pikërisht bazuar në këtë plan, me 17 shkurt të vitit 2008, nga kjo foltore, nga kjo sallë, duke dëgjuar të rrahurat e zemrës të stërgjyshërve tanë, do të shpallnim pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq, ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, ka thënë nga foltorja e Kuvendit të Kosovës se ai ka ardhur për të festuar të arriturat e Republikës së Kosovës.“Qëndroj sot këtu para jush për të festuar përfundimin e një rrugëtimi të gjatë. Janë gjithashtu duke shënuar kështu fillimin e një rrugëtimi të tjetër. Pesë vite me parë, unë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara ua kam dhënë materialin tim, propozimin për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për Kosovën. Ne sot festojmë miratimin e plotë të të gjitha parimeve dhe instruksioneve të inkorporuara në institucione, në procese dhe në kornizën ligjore të një shteti funksional të pavarur”, ka thënë ndër të tjera projektuesi i pavarësisë së Kosovës, Martti Ahtisaari.

“Suksesi në Kosovë dhe suksesi në Serbi nuk do të gjenden në duartrokitje apo nga kureshtja, por duhet të gjenden në përkushtimin dhe zbatimin e planit që ka prodhuar rezultate konkrete. Ky plan në fillim u pa si fantazmë, por tashmë është fakt. Kjo është e arritur e përbashkët e jona”, ka deklaruar ai. Ahtisaari ka theksuar se tash u mbetet vendësve të punojnë për të ardhmen e tyre, të fëmijëve të tyre, duke kujtuar ata që ranë për të arritur në këtë ditë.

Nga një fjalim rasti e kanë mbajtur edhe dy kontribuesit e pavarësisë Frank Wisner dhe Wolfgang Ischinger. Ata përkrahën përmbylljen e mbikqyrjes së pavarsisë dhe përgëzuan institucionet e vendit për marrjen e përgjegjësive të reja.(LajmeShqip.com)

*****************************************

Washington (PLOTESUAR 10 SHTATOR 17:45)- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka përshëndetur përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar si arritje historike, ndërkohë që vendi merr përsipër kontrollin e plotë të sovranitetit të tij.

“Me optimizmin, energjinë dhe vendosmërinë karakteristike të popullit të saj, Kosova ka arritur përparim thelbësor në fuqizimin e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve të një shteti modern, shumëkombësh, përfshirës dhe demokratik”, ka thënë presidenti Obama në një komunikatë të lëshuar për shtyp.(LajmeShqip.com)

*********************************************

Berlin (PLOTESUAR 10 SHTATOR 17:00)-  Gjermania mirëpret mbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, duke thënë se ajo ka zbatuar refomat për hapin që çon ka sovraniteti.

“Fakti që sot merr fund mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës është një hap i rëndësishëm për Kosovën dhe një sukses i përpjekjeve ndërkombëtare. Kosova ka përmbushur kërkesa rrënjësore demokratike dhe ka arritur progres në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të pakicave”, ka theksuar Ministri Federal për Punë të Jashtme, Guido Westerwelle.

Sipas tij, Qeveria Federale do të mbështes fuqimisht Kosovën edhe në të ardhmen në procesin ekonsolidimit të shtetit. “Prioritet mbetet procesi i mëtejmë i afrimit të Kosovës me BE-në dhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës, përfshirë edhe stabilitetin qëndrueshëm të gjendjes në veri të Kosovës“, ka theksuar ai.

Propozimi i bërë me mandat të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në vitin 2007, i Presidentit finlandez Martti Ahtisaari ka ndërlidhur të drejtat e autonomisë së gjerë të komunave serbe në Kosovë me mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Përkufizimet e Planit të Ahtisaar-it rregullojnë posaçërisht çështjen e mbrojtjes së të drejtave të pakicave jo-shqiptare, forcimin e vetëqeverisjes lokale dhe mbrojtjen e monumenteve ortodokse serbe. (LajmeShqip.com)

********************************************

Prishtinë -Mbledhja e gjashtëmbëdhjetë dhe e fundit e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën.

Pas vlerësimit të tij më datë 2 korrik 2012 se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (PGJS) është zbatuar në mënyrë substanciale dhe duke vënë re se në përputhshmëri me zotimet e tyre, institucionet e Kosovës tani i kanë miratuar pakot e ndryshimeve të Kushtetutës dhe të legjislacionit primar duke i përfshirë në mënyrë të kënaqshme elementet e mbetura të PGJS-së brenda kornizës kushtetuese dhe juridike të Kosovës, Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli sot përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar.

Pas përfundimit të detyrave të nevojshme administrative të brendshme, Zyra Civile Ndërkombëtare do të mbyllet në fund të vitit 2012, thuhet në komunikatë.
Me efekt të menjëhershëm, PGJS-ja nuk ekziston më si fuqia juridike e veçantë dhe më e lartë, dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës tani përbën bazën e vetme të kornizës juridike të vendit. 10 shtator 2012, Prishtinë (LajmeShqip.com)