Lajme Shqip Friday, 25 May 2012 10:25

Prishtinë (PLOTESUAR 14:00)- Qindra pensionistë kanë protestuar sot para dyerve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, për të vazhduar pastaj deri te dyert e Kuvendit të Kosovës.

Ata kanë kërkuar ngritje të pensionit  si dhe aprovim të ligjit mbi sigurimin pensional dhe invalidor në bazë të punës dhe kontributeve të paguara nga puna. Ndërsa për këtë gjendje pensionistët kanë fajësuar Qeverinë e Kosovës, e cila, sipas tyre, nuk ka bërë asgjë për të ndryshuar situatën sociale të tyre. Para protestuesve pensionistë ka folur edhe deputeti i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri i cili ka përkrahur protestën e pensionistëve , duke thënë se Qeveria e Kosovës me këtë pension po i jap lëmosh pensionistëve.

Pensionistët kanë protestuar sot edhe në të gjitha qendrat komunalet Kosovës. (LajmeShqip.com)

*******************************************

Prishtinë – Pensionistët e Kosovës më nuk do të rrinë duarkryq. Nga e premtja (sot) do të fillojnë protestat për të kërkuar të drejtat e tyre. Në orën 11:oo pensionistët në të gjitha qytetet do të mblidhen për të filluar protestat e tyre, siç thonë ata, të shtyrë si pasojë e pakënaqësisë dhe gjendjes së mjerueshme me të cilën përballen pensionistët e Kosovës.

“Pensionistët tash e 12 vjet janë duke pritur për të fituar të drejtat e veta legjitime. Kërkesat tona kanë hasur në vesh të shurdhër. Prandaj ne do të dalim në protestë të qetë”, tha Fahri Buçinca, përfaqësues i koalicionit dhe kryetar i Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës. Ai tha se protesta vjen pas padëgjueshmërisë së pensionistëve nëpër degë, të cilët kanë kërkuar protesta për të realizuar të drejtat e tyre, të cilat deri më tani janë shkelur.

“Ne e dimë se organet gjegjëse neve pensionistëve na anashkaluan. Praktikisht edhe na nënçmuan. Na përbuzën, u degraduam dhe në fund edhe u diskriminuam. Qe 12 vjet po kalojnë, e ne ende jemi duke kërkuar që të kemi ligjin tonë, ligjin e pensionistëve, invalidëve dhe familjarëve të Kosovës. E ajo brengë ekziston te të gjithë pensionistët e Kosovës”, theksoi Buçinca.

Në konferencën për media ai tha se nuk po kërkojnë që t’i kenë pensionet më të mëdhatë në rajon. “Kërkesat e tyre mbesin që pensionet në vend të jenë 60 për qind e një page mesatare në Kosovë, e që do të silleshin nga 120 euro pensioni më i ulët, deri në 250 euro pensioni më i lartë. Prapë kjo shumë do të ishte më e vogla në rajon”, tha Buçinca.

Së bashku me pensionistët në protestë do të jenë edhe invalidët, minatorët dhe Partia e Pensionistëve. “Me një fjalë, të gjithë kanë filluar të jenë të padurueshëm dhe kanë filluar të vetorganizohen dhe jashtë nesh, për të kërkuar të drejtat e tyre”, tha ai.

Sahit Dragaj, nga Partia e Pensionistëve të Kosovës, tha se rebelimi i tyre ka ardhur pasi tash 12 vjet marrin një pension që është më i vogli jo vetëm në Evropë, por edhe  në Afrikë. “Pensionistët e Kosovës kanë trokitur në të gjitha dyert e institucioneve të Kosovës, por kanë hasur në vesh të shurdhër. Ende nuk ekziston vullneti politik, për zgjidhjen e çështjes së pensionistëve të Kosovës”, tha ai.

Përfaqësuesi i pensionistëve dhe invalidëve minatorë të Kosovës, Naser Avdiu, tha se protesta e cila do të mbahet nesër është vetëm një paralajmërim për qeveritarët dhe institucionet e Kosovës. “Kjo protestë është paralajmërim për institucionet tona. Por nëse institucionet tona nuk marrin kurrfarë masash, nuk i marrin për bazë kërkesat tona, ne në të ardhmen do të ulemi si koalicion përsëri dhe do të mbahen protesta të përgjithshme, prej të gjitha komunave do të thirren dhe do të mbahen në Prishtinë. E atëherë nuk dihet nëse do të jenë radikale apo paqësore, atëherë do të shikojmë”, tha ai. (LajmeShqip.com)