Lajme Shqip Friday, 23 November 2012 11:39

Prishtinë – “Avullimi” i një milion e katërqind mijë eurove, që i takojnë kompanisë austriake, OeSD, e cila prodhon pasaportat kosovare, nuk është keqpërdorimi i vetëm që është bërë me tenderin për pasaporta biometrike. Gazeta “Zëri” ka siguruar një dosje me dokumente që dëshmojnë për prapaskenat rreth futjes së pasaportave në Kosovë, përkatësisht për zhdoganimin e tyre pa e paguar taksën doganore.

Deri te kjo situatë ka ardhur pasi që kompania nënkontraktuese e OeSD-së, “Consulting. Eu”, që është përfaqësuar nga Natalije Velija, në bashkëpunim me zyrtarë të MPB-së dhe të Doganës së Kosovës, kanë arritur që pasaportat t’i fusë në një “thes” me broshurat, për të cilat paguhen vetëm Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), por jo edhe taksa doganore.

Njëri nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili, në kushte anonimiteti ka treguar për mbarëvajtjen e këtij procesi, ka thënë se deri tek ikja nga tatimi është arritur falë një bashkëpunimi të ngushtë mes zyrtarëve të MPB-së, zyrtarëve të Doganës dhe Natalije Velijajt, dhe bashkëpunëtorëve të saj. (Zeri)