Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 17:51

Prishtinë – As të hënën, partitë politike në Kosovë nuk arritën të pajtohen për mënyrën e zgjedhjes së presidenti të ri të vendit. Zyra Civile Ndërkombëtare dhe njohësit e proceseve zgjedhore, thanë se Kosova do të mund të dalë nga situata aktuale vetëm përmes konsensusit ndërmjet partive politike.

Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë beson që përmes komunikimeve, siç thuhet, konstruktive ndërmjet të gjitha palëve, Kosova do të mund të dalë nga situata politike e krijuar pas aktvendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Pavarësisht qëndrimeve të kundërta ndërmjet partive në pushtet dhe atyre opozitare, zëdhënësi i ICO-së, Andy McGuffie, shfaqi besimin në gjetjen e gjuhës së përbashkët ndërmjet palëve të përfshira lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri.

“Është përgjegjësi e të gjithë deputetëve që të votojnë për kandidatin, për të cilin besojnë se do t’i shërbejë dhe do të mbrojë më së miri interesat e qytetarëve që i kanë votuar. Ne jemi të bindur se komunikimi konstruktiv ndërmjet të gjitha palëve, mund të çojë në zgjedhjen e presidentit”, i tha McGuffie, Radios Evropa e Lirë përmes një deklarate me shkrim.