Lajme Shqip Monday, 23 May 2011 12:13

Prishtinë – Kërkesat për miratimin ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së, pritet të adresohen sërish përmes protestave të ish pjesëtarëve të saj. Anëtarët e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, kanë paralajmëruar sot hyrjen në grevë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, për të kërkuar përshpejtimin e miratimit të Ligji për vlerat e luftës së UÇK-së.

Invalidët dhe veteranët e UÇK-së vazhdojnë të kërkojnë plotësimin e kornizës ligjore për vlerat e luftës së UÇK-së. Ata sërish kanë zgjedhur grevën si presion ndaj Qeverisë, për përshpejtimin e kësaj infrastrukture ligjore që ata e quajnë si kthim të dinjitetit të ish pjesëtarëve të UÇK-së.

Anëtari i këtij këshilli, Ylber Selimi ka thënë s’e në Kosovë po vazhdon përpjekja e organizuar institucionale, ndërkombëtare dhe vendore, siç ka thënë ai, për varrosjen përfundimtare të trashëgimisë së luftës sonë çlirimtare. Selimi ka thënë se, është për t’u tmerruar nga paditë e përditshme që bënë EULEX-i ndaj ish çlirimtarëve të vendit, duke e quajtur këtë si një luftë speciale ndaj tyre. Ai ka shtuar se është koha kur qeveria duhet të kryej detyrimet e saj, në plotësimin e mozaikut ligjor, sa i përket invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së si dhe familjeve të tyre.