Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 17:58

Prishtinë – Shërbyesit civilë ende nuk i kanë marrë pagat e muajit mars me rritje, megjithëse ishte paralajmëruar se një gjë e tillë do të ndodhë sot.

Burime brenda departamentit të thesarit konfirmojnë se zbatimit i vendimit do të bëhet gjatë ditës së sotme, deri në fund të orarit të punës. Punonjësit e shërbimit civilë në Kosovë ende janë duke pritur të marrin pagat e tyre me rritje. Zyrtarë të Ministrisë së Administratës Publike thonë se i kanë përgatitur listat, por tani janë duke pritur urdhrin për pagesë nga ministria e Financave. Zyrtarë të kësaj të fundit nuk japin informacione rreth kësaj teme. Ndërkaq burime të Radio Kosovës brenda departamentit të thesarit konfirmojnë se zbatimit i vendimit do të bëhet gjatë ditës së sotme, deri në fund të orarit të punës.

Ditë më parë ministri i financave, Bedri Hamza, kishte konfirmuar se kjo ministri i ka bërë të gjitha përgatitjet që nga sot të filloi ekzekutimi i të gjitha llojeve të pagesave nga buxheti i Kosovës, pasi javën e kaluar është miratuar buxheti nga Kuvendi. Merret vesh se shërbyesit civilë këtë muaj do t’i marrin me rritje vetëm pagat e marsit, ndërkaq në fund të prillit do t’i marrin me rritje në mënyrë retroaktive për janar dhe shkurt. Janë rreth 75 mijë punonjës të shërbimit civil që paguhen nga buxheti i shtetit, ku përfshihen mësimdhënësit parauniversitarë, policët, shërbyesit civile, zyrtarët doganorë, punëtorët shëndetësorë dhe zjarrfikësit, të cilët do të marrin paga me rritje prej 30 deri në 50 për qind.