Lajme Shqip Monday, 30 April 2012 21:15

OSBE përmes një komunikate për media ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes për rolin lehtësues që do ta ketë ky mision në organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë.

Kryesuesi i OSBE-së, njëherazi zëvendëskryeministër i Irlandës, Imon Gilmor ka mirëpritur këtë marrëveshje, derisa ka sqaruar se vetë ai ka qenë në kontakt me palët e përfshria, por pa i specifikuar ato. “Mirëpres marrëveshjen që është arritur sot sa i përket rolit lehtësues të misionit të OSBE-së në Kosovë për (organizimin) e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë. Në ditët e fundit, unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me palët e përfshira, së bashku sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zanier, për t’i inkurajuar ata që të ndërmarrin një qasje pozitive”, ka thënë përmes njoftimit për media të OSBE-së, Gilmor.

Sekretari i përgjithshëm i OSBE-s,ë Lamberto Zanier tha se tashmë “OSBE ka nisur përgatitjet për organizimin e qendrave të votimit për t’iu mundësuar votuesve në Kosovë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në këto zgjedhje.”

Autoritetet kosovare kanë lënë të kuptohet se duke marrë për bazë parimin e dyshtetësisë, serbët e Kosovës mund të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, por jo edhe për ato lokale, të cilat politikanët serbë të veriut këmbëngulin që t’i mbajnë.

Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret vendimin e OSBE-së për lehtësimin e votimit për qytetarët serbë me shtetësi të dyfishtë, në zgjedhjet e 6 majit.  Ky vendim i OSBE-së është i bazuar në parimet dhe vlerat evropiane. Ky veprim është në harmoni me Dokumentin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. (LajmeShqip.com)