Lajme Shqip Saturday, 12 November 2011 12:00

Prishtinë – Një trajnim për menaxhimin e operacioneve, i organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për 21 oficerë të rangut të mesëm të policisë së Kosovës, përfundoi dje në Vushtrri.

Trajnimi njëmujor, që synoi profesionalizmin e mëtejshëm të policisë, u fokusua në disa fusha përfshirë hetimet penale, operacionet policore, incidentet kritike dhe menaxhimin e marrëdhënieve me publikun.

“Policia në Kosovë është ende e re. Ajo është themeluar në vitin 1999 dhe është e natyrshme që njohuritë e tyre duhet të rriten,” tha Carsten Twelmeier, Drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike në Misionin e OSBE-së në Kosovë.

“Trajnimi bazë tashmë është bërë siç duhet dhe tani po hyjmë në një fazë tjetër të trajnimeve, që kanë për shënjestër zhvillimin e menaxhimit dhe lidershipit si dhe fushat e specializuara e të avancuara të policisë”, shtoi ai.

Trajnimi është gjithashtu parakusht për promovimin e mëtejshëm në rang të togerëve, kapitenëve dhe nën-kolonelëve.

“Zyrtarët e trajnuar të policisë kanë fituar njohuri dhe aftësi të cilat do t’i ndajnë me kolegët në punën e tyre të përditshme”, tha Driton Zabërgja, kreu i Seksionit të Trajnimeve në Akademinë Kosovare për Siguri Publike.

Misioni i OSBE-s në Kosovë bën të ditur se trajnimi për menaxhim operacional do të përdoret gjithashtu për të identifikuar nevojat e tjera për trajnime, si dhe për të zhvilluar menaxhimin modular të trajnimeve për policinë. Bazuar në vlerësimin e performancës, 10 policët që kanë treguar rezultatet më të mira do të bëhen trajnues të ardhshëm.

Misioni i OSBE-së promovon forcimin e sektorit të sigurisë publike në Kosovë duke ofruar asistencë dhe ngritje të kapaciteteve për agjencitë e sigurisë publike dhe njësitë e tyre të trajnimit.