Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 09:59

Prishtinë – Me gjithë përparimin në disa fusha, institucionet e Kosovës ende nuk po krijojnë kushte adekuate për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, konkludon një raport i Misionit të OSBE-së.

Raporti i publikuar dje, në veçanti thekson nevojën për zgjidhje të shpejtë për problemin e pjestarëve të riatdhesuar të këtyre tri komuniteteve, të cilët janë riatdhesuar me forcë në Kosovë nga vende te tjera.

“Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë mes grupeve në situatë më të pafavorshme në Kosovë,” tha Ambasadori Werner Almhofer, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, duke shtuar se duhet më shumë punë dhe përpjekje për të nxitur integrimin e tri komuniteteve.

Në raport theksohet një përparim modest në rregullimin e vendbanimeve joformale, mbështetje për të lehtësuar kthimin, promovimin si dhe mbrojtjen e identitetit kulturor të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

“Përshëndes përpjekjet e bëra deri tani dhe inkurajoj institucionet përgjegjëse për angazhim të mëtejshem në përmbushjen e zotimeve të caktuara nga Strategjia e Planit të Veprimit. Ky është një hap i rëndësishëm në ndërtimin e shoqërisë stabile, demokratike, në të cilën njihen dhe respektohen të drejtat e të gjithëve”, tha Almhofer.

Raporti bazohet në aktivitetet monitoruese të rregullta të kryera nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.