Lajme Shqip Thursday, 08 March 2012 09:00

Prishtinë-Në prag të festës se 8 Marsit – ditës ndërkombëtare të gruas, OSBE-ja publikoi raportin”Gjykimi i kërkesave për urdhëra për mbrojtje në rastet e dhunës në familje”.

Vetëm gjatë vitit 2010, në Policinë e Kosovës janë raportuar gjithsej 944 raste të dhunës ndaj gruas- dukuri që po vazhdon edhe me tej në Kosovë tha shefi i misionit të OSBE-së Verner Almhofer.

Raporti i publikuar sot, tha Almhofer, ka për qëllim vetëdijësimin dhe parandalimin e kësaj dukurie në vend.

“Raporti dhe katalogu si dhe fushata e lançuar ka për qëllim që të ndihmoj në parandalimin e dhunës në familje dhe që t’ju ndihmoj viktimave që të kenë një kujdes më të mire”-tha ai.

Rekomandimet e dala nga ky raport janë: plotësim-ndryshimi i ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje për qartësim të kritereve të cilat e bëjnë dallimin ndërmjet urdhërit për mbrojtje  dhe mbrojtje emergjente.

Po ashtu ligji të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Edona Hajrullahu, nga Agjencia për Barazi Gjinore të zyrës se kryeministrit,  tha se edhe ky takim  do të jetë në shërbim të ngritjes se vetëdijes së shoqërisë sonë sa i përket eliminimit të dhunës në familje. Në takim u tha se gratë duhet të raportojnë të gjitha rastet e dhunës me qëllim që kryesit e këtyre veprave apo keqbërësit, të marrin në kohë ndëshkimin e merituar. (LajmeShqip.com)