Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 12:13

Prishtinë – Deputetët opozitar të Kuvendit të Kosovës nuk konsiderojnë se është arritur ndonjë marrëveshje me Serbinë, përderisa ato nuk miratohen nga Kuvendi i Kosovës.

Ndonëse deputetët e opozitës, thonë se ende nuk dihen të gjitha detajet e marrëveshjeve të arritura të shtunën në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi. Ata thonë se çdo marrëveshje që konsiderohet ndërshtetërore duhet të ratifikohet në Kuvend. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se ato mund të quhen para-marrëveshje pasi as nuk janë nënshkruar.

Ahmet Isufi i AAK-së thotë se të thuhet që janë arritur marrëveshje të panënshkruar është një blof që po bëhet për opinionin.

Më tutje duke komentuar ato që janë publikuar deri më tash, deputetët konsiderojnë se Kosova nuk ka arritur ndonjë sukses, pasi Serbia nuk ka njohur pasaportat dhe tabelat e RKS, ndërsa letërnjoftimet konsiderohen dokumente të karakterit administrativ. Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca thotë se në këto marrëveshje Serbia ka aplikuar strategjinë e saj të mosnjohjes së Kosovës, ndërsa e konsideron se Kosova ka bërë gabim që nuk ka këmbëngulur për njohjen e pasaportave. I vetmi lajm i mirë për Konjufcën, konsiderohet deklarata e zëvendëskryeministres Tahiri se marrëveshjet janë të përkohshme. Ndryshe deputetët opozitar thonë se me këto lloj marrëveshjesh ka fituar vetëm Serbia.