Lajme Shqip Thursday, 01 March 2012 12:49

Prishtinë- Partitë opozitare kanë drejtuar kritika të ashpra në drejtim të qeverisë për shkak të marrëveshjes së fundit të arritur në kuadër të dialogut me Serbinë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike Sabri Hamiti tha se kjo çështje duhet të diskutohet në Kuvend sepse përbën problem të madh për vendin.

Ndërkaq deputetja Alma Lama nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes tha se kompromiset e fundit të qeverisë janë alarmante pasi përmes tyre është ringjallur rezoluta 1244.

Më i ashpër në kritikat ndaj qeverisë ishte deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ardian Gjini.

Ai tha se gjendja aktuale në vend është pasojë e keqqeverisjes.

Por deputetët e pozitës i kanë siguruar deputetët se mënyra e përfaqësimit rajonal të vendit është zgjidhje e përkohshme dhe se pavarësia e vendit është proces i pakthyeshëm.

Deputeti Bajrami tha se mënjehërë pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel Kosova mori ofertën për fillimin e studimit të fizibilitetit. Një ofertë e tillë sipas tij iu bëhet vetëm shteteve të pavarura dhe sovrane. (LajmeShqip.com)