Lajme Shqip Tuesday, 29 November 2011 17:23

Oslo-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është pritur sot nga kryeministri i Norvegjisë, Jens Stoltenberg, në një takim ku diskutuan në lidhje me marrëdhëniet bilaterale dhe thellimin e tyre në fushat me interes të përbashkët. 

Kryeministrat Thaçi dhe Stoltenberg nënshkruan një marrëveshje ndërshtetërore bashkëpunimi, ndërkohë që gjatë takimit ata diskutuan edhe për mbështetjen e Norvegjisë në procesin e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës dhe në procesin e integrimit euroatlantik. Sipas zyrës së shtypit të qeverisë kosovare, kryeministri i Norvegjisë, Stoltenberg theksoi përkrahjen e qeverisë norvegjeze për konsolidimin dhe forcimin e shtetit demokratik të Kosovës.

Stoltenberg shprehu gjithashtu mbështetjen e qeverisë norvegjeze për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.

Duke u fokusuar në përkushtimet për zbatimin e vizionit të qeverisë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, kryeministri Thaçi ftoi investitorët norvegjezë që të investojnë në Republikën e Kosovës, duke theksuar se shteti i ri ofron mundësi të mëdha për investime ekonomike ndërkombëtare.

Hashim Thaçi u shpreh gjithashtu për nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Norvegjisë, për shkëmbimin e përvojave në fusha të ndryshme, si në fushën ekonomike, të arsimit, të drejtësisë dhe në fushat e tjera me interes të përbashkët.(LajmeShqip.com)