Lajme Shqip Monday, 03 September 2012 14:30

Prishtinë-Në Kosovë filloi sot viti i ri shkollor. Në mesin e 400 mijë nxënësve, këtë vit klasën e parë do ta ndjekin më shumë se 36 mijë nxënës. Në mbarë vendin u hapën dyert e shkollave, për të pritur nxënësit që vijonje shkollimin fillor dhe atë të mesëm. Nxënësit e klasave të para në Kosovë këtë vit e nisin mësimin me abetaren e përbashkët me të cilën do të mësojnë edhe moshatarët e tyre në Shqipëri. Zëvendësministri i arsimit, Nehat Mustafa, tha se kjo Abetare është një dhuratë edhe për kombin shqiptar në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

“Pra premtimi që është dhënë dikur është realizuar dhe mendojmë që Abetarja e përbashkët është dhurata më e mirë që i bëhet popullit shqiptar në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Jam shumëi sigur që Abetarja do të shperndahet me 3 shtator nëpër të gjitha shkollat e Kosovës.”-tha ai.

Shpërndarja e teksteve nëpër shkolla tashmë ka përfunduar dhe se librat vazhdojnë të jepen falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën. Ndërkohë ministri i arsimit, Ramë Buja do të përurojë sot  Shkollën e Mesme Teknike si dhe do të vizitojë shkollën fillore “Ismail Qemali”, në Prishtinë.

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor Presidentja Atifete Jahjaga, ka uruar sot nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për një fillim të mbarë të vitit shkollorë. Presidentja ka uruar veçanërisht nxënësit e klasave të para, duke thënë se ata nisin rrugëtimin në botën e dijes. Shkolla shqipe ka njohur vite të rënda të punës së saj në të kaluarën. Ishin mësimdhënësit ata që i dhanë më së shumti asaj, e mbajtën gjallë në kohë të rëndë. Prandaj ata meritojnë urimet më të mira për punën e palodhshme me brezat e rinj, të ardhmen e vendit tonë, thuhet në urimin e Presidentes Jahjaga. (LajmeShqip.com)