Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 06:49

Prishtinë – Sot, 30 vjet pas regjistrimit të fundit, dhe pas 6 vjet përgatitjesh, fillon procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë.

Ministri kosovar i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, Rifat Blaku nga Komisioni Qendror i Regjistrimit, Ibrahim Shabani nga Enti i Statistikave të Kosovës si dhe Kjartan Brojnson nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në këtë proces të rëndësishëm.

 

“Regjistrimi i popullsisë është një obligim i të gjithëve, regjistrimi do të krijojë parakushte për një zhvillim të gjithëmbarshëm ekonomik dhe një mirëqenie sociale për të gjithë ne”, tha Yagcilar.

 

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Regjistrimit, Rifat Blaku tha se Kosova sot fillon ta japë një provim të madh, sikurse edhe shtetet e tjera, sepse ky është edhe një standard tjetër ndërkombëtar për ata që synojnë integrimin në BE.

 

Blaku tha se për tejkalimin e situatës me komunat me pushtet paralel janë duke u angazhuar udhëheqësit politik, në bashkëpunim me UNOPS-in. Të dhënat e mbledhura në këto komuna, sipas tij, do të përpunohen në data bazën e EUROSTAT-it.

 

Edhe Kjartan Bjornson, nga Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian, dhe Ibrahim Shabani nga Enti i Statistikave të Kosovës, u bënë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në këtë proces.