Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 13:59

Prishtinë – Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme i ka dhënë dritën e gjelbër projektit për studimin e fizibilitetit dhe fillimin e procedurave për analizimin e opsioneve kontraktuese për operim dhe mirëmbajtje të autostradës Vërmicë-Merdar.

Autostrada, nëpër të cilën në dhjetëra kilometrat e para paralajmërohet kalimi nga fundi i verës së sivjeme, ka filluar të ndërtohet para një viti në vazhdim të Rrugës së Kombit të përfunduar në Shqipëri nga Durrësi në Morinë.

Kryeministri Hashim Thaçi i ka dhënë mbështetje të plotë trasesë së autostradës Vërmicë-Merdare, e cila do kalojë nga Malisheva, e jo nga Shtimja siç ishte thënë në fillimet e projektit. “Traseja Qafë e Duhlës -Arllat është në përputhje me kushtetutën dhe ligjet. Kursehen 350 milionë euro nga buxheti i Kosovës”, ka theksuar ai.

Po ashtu, qeveria ka mbështetur propozimin e Ministrisë së Infrastrukturës për fillimin e procedurave për analizën e opsioneve kontraktuese për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, kufiri me Maqedoninë.

Nën drejtimin e kryeministrit të Republikës së Kosovë, Hashim Thaçi është mbajtur sot mbledhja e qeverisë, në të cilën fillimisht është miratuar  Korniza Afatmesme e Shpenzimeve për periudhën 2012-2014.

Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave për Ratifikimin e Konventës së Këshillit Botëror të Doganave. Përfundimi i  procedurave do t’i mundësojë Doganave të Kosovës  që kërkesa për  anëtarësim në Organizatën Botërore të Doganave të shqyrtohet në sesionin e radhës të qershorit  2012.

Kabineti qeveritar ka miratuar propozimin e ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi për themelimin e Këshillit Konsultativ për Drejtësi dhe të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë prej vitit 1990-1999.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë merrte pjesë për herë të parë Behgjet Pacolli, pas emërimit si zëvendëskryeministër i Kosovës.