Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 18:32

Prishtinë – Autostrada Vrmicë-Merdar, në vazhdim të Rrugës së Kombit nga Durrësi në Morinë, e përfunduar në Shqipëri, sot nisi të shtrohet me asfalt, ndërsa pritet që tri segmentet e para prej 34 kilometrave të jenë të përfunduara më 30 tetor të këtij viti.

Ndërtuesit e autostradës, përfaqësuesit e konzorciumit “Bechtel& Enka” theksuan se punimet po zhvillohet me një intensitet të lartë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota, vëzhguan sot nga afër fillimin e asfaltimit të një pjesë të autostradës Vërmicë-Merdar.

“Asfaltim po fillon në një kohë rekord, para afatit të planifikuar. Ky është një sukses jashtëzakonisht i rëndësishëm, njëheresh është një sukses i Qeverisë së Kosovës, i autoriteteve komunale, i konsorciumit ‘Bechte& Enka’, të cilët i përgëzoj për punën e mrekullueshme të bërë”, tha kryeministri Thaçi.

Ne, vazhdoi ai, “jemi duke realizuar projektin e endërrave të qytetarëve të Kosovës dhe shqiptarëve, po realizojmë projektin e munguar historik të vendit”. “Me ndërtimin e kësaj autostrade, qytetarët e vendit tonë do të kenë mundësinë që deri në Tiranë të mbërrijnë për tri orë”, tha kryeministri Thaçi.

Autostrada Vërmicë-Merdar do mbajë emrin e presidentit hisorik të Kosovës, Ibrahim Rugova, sipas vendimit të qeverisë kosovare. Kjo autostradë do të përshkojë Kosovën që nga kufiri me Shqipërinë, në afërsi të Prizrenit, deri në kufirin me Serbinë, afër Podujevës.