Lajme Shqip Friday, 01 July 2011 17:55

Prishtinë – Delegatët e Kuvendit të Kosovës, të cilët e shpallën Deklaratën e Pavarësisë më 2 Korrik 1990, do të priten nesër në ambientet e qeverisë nga zv/kryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, ndërsa organizohen edhe veprimtari të tjera tradicionale në përkujtim të ngjarjes madhore të para 21 viteve.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 u shpall në gjendje të jashtëzakonshme të shtetrrethimit ushtarako-policor, që kishte vendosur Beogradi, dhe si kundërpërgjigje e rrënimit kundërkushtetues e me forcë, me kushtetutën e tankeve serbe, të autonomisë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës së atëhershme.

“Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës (konfederatës).” e shpallën në Prishtinë delegatët shqiptarë, po edhe të komuniteteve të tjera të Kuvendit të Kosovës, para dyerve të Kuvendit, të cilat ua kishin mbyllur me urdhër serb nga Beogradi.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, si Kushtetuta e Kaçanikut e 7 shtatorit 1990, Referendumi për pavarësi i shtatorit 1991 dhe zgjedhjet e para parlamentare e prsidenciale të 24 majit 1992 të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, shenojnë kthesën historike në lëvizjen demokratike gjithëpopullore kosovare për liri e pavarësi, të viteve ’80-’90 të shekullit të kaluar.

Delegatët e Kuvendit të Kosovës, që shpallën Deklaratën Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës më 2 Korrik dhe që miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990, janë dekoruar me “Medaljen e Artë të Pavarësisë” nga Presidenti historik Ibrahim Rugova më 2 korrik 2004.

Në 21 – vjetorin e Deklaratës Kushtetuese, Kosova e lirë nga 12 qershori 1999, pas luftës së UÇK-s dhe ndërhyrjes së NATO-s, dhe shtet sovran nga 17 shkurti 2008, kur Kuvendi e shpalli pavarësinë, është e njohur nga 76 shtete anëtare të OKB-së. Është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore.