Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 12:01

Prishtinë – Zv/kryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, gjatë qëndrimit në Bruksel në krye të delegacionit kosovar në raundin e 4-t të dialogut teknik me Serbinë, diskutoi mbi këtë çështje në takimet e veçanta me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Tim Barroë, ambasadorin e Italisë, Luca Giansanti dhe ambasadorin e Çekisë, Václav Bálek.

Sipas zyrës së shtypit të qeverisë kosovare, takimet u fokusuan në dialogun teknik të ndërmjetësuar nga BE dhe në perspektivat euroatlantike të Kosovës.

Ambasadorët Barroë, Giansanti dhe Balek vlerësuan lartë angazhimet reformatore të qeverisë së Kosovës dhe përkushtimin e saj për dialogun teknik në funksion të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal. Ata vlerësuan njoftimet për konceptin dhe angazhimet e Kosovës në dialog me Serbinë dhe shprehën përkrahjen e fuqishme të vendeve të tyre për këtë proces të rëndësishëm, që do të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane.

Ambasadorët konfirmuan mbështetjen e vendeve të tyre për integrimin e Kosovës në BE, si pjesë e Evropës dhe se duan që sa më parë atë ta shohin të integruar plotësisht në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Zv/kryeministrja Tahiri tha se Qeveria e Kosovës ka përkushtim të lartë për dialogun teknik me qëllim që të arrihen rezultate konkrete që do të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve në vend, e po ashtu fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal dhe avancimit të agjendës evropiane të Kosovës.

“Dialogu teknik dhe përparimet e arritura janë një përpjekje serioze për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe afrimin e Kosovës me BE-në”, tha ajo.

Tahiri theksoi angazhimin konstruktiv të delegacionit të Kosovës në dialog dhe bëri të njohur qëndrimin, që problemeve t’u jepen zgjidhje evropiane, duke marrë për bazë vlerat dhe standardet e BE-së, si modele të avancuara në interes të qytetarëve dhe shteteve që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së.

Ajo vlerësoi se “raundi i 4-t ishte më i suksesshmi dhe se procesi ka hyrë në fazën e marrëveshjeve konkrete, veçmas për çështjet e lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë, energjisë dhe telekomunikacionit, ndërkohë që për çështjet e tjera të hapura ka pasur lëvizje përpara”.

Zv/kryeministrja Tahiri zhvilloi një takim pune me ndërmjetësin e dialogut, Robert Cooper, ku u riafirmua vlerësimi i lartë për rezultatet e raundit të katërt.