Lajme Shqip Wednesday, 25 April 2012 08:01

Prishtinë -Deri më dhjetë shtator të këtij viti, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet t`i miratojë të gjitha ndryshimet kushtetuese dhe ligjet në mënyrë që java e dytë e shtatorit të jetë javë përfundimtare e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ky konstatim doli nga Komisioni për Amadamentimin e Kushtetutës. Kryetari Arsim Bajrami e sheh interes vital përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë brenda këtij viti.

Sipas Bajramit, me këto ndryshime kushtetuese dhe legjislative jepet një garancë më e lartë për respektimin e të drejtave të pakicave që jetojnë në Kosovë.

“Nuk ka asnjë ide që të zvogëlohet ndonjë e drejtë e paraparë me pakon e Ahtisarit. Pakicat duhet të ndihen të qeta dhe ato janë aktive në këtë proces. Ato duhet ta mbështesin këtë proces dhe nuk duhet të përdorin kurrfarë refuzimi të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë”.

Pavarësia e mbikëqyrur nuk do të prekë mandatin e KFOR-it, sepse është mandat në kohë të pacaktuar, por mandatin e prezencës civile ndërkombëtare, udhëheqjen e institucioneve kushtetuese nga ana e tyre dhe institucione tjera që kanë prani të theksuara ndërkombëtare. (LajmeShqip.com)