Lajme Shqip Monday, 03 December 2012 14:28

Prishtinë – Vetëm pak ditë pas shpërthimit të skandalit të përgjimeve telefonike të zyrtarëve të lartë qeveritarë të PDK-së, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ndonëse e ka arsyetuar këtë projektligj si të nevojshëm për liberalizim vizash, ai ka pranuar se zhvillimet e fundit e kanë përshpejtuar dërgimin e këtij ligji në Kuvendin e Kosovës, raporton KTV-ja. Kuçi nuk ka dashur të komentojë përgjimet, por ka thënë se për këto duhet të bëhen hetime nga EULEX-i në bashkëveprim me institucionet kosovare të drejtësisë. Ai ka thënë se me këtë projektligj do të mbrohet privatësia.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar kabinetin qeveritar se nesër do të zhvillohet takimi i radhës me kryeministrin serb, Ivica Daçiq, në Bruksel. Ai ka thënë se në këtë takim pritet të diskutohet për IBM-in, hapjen e zyrave ndërlidhëse, si dhe përshpejtimin e agjendës për autostradën Prishtinë- Nish.

Sa i përket IBM-it, kryeministri ka thënë se tashmë janë në përfundim edhe punët teknike dhe se së shpejti pritet fillimi i implementimit. Kjo do të shënojë një kthesë të madhe në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, ka thënë Thaçi, duke shtuar se është hera e parë që Serbia e ka të qartë se Kosova dhe Serbia do të kenë kufij të përcaktuar.  (Koha Ditore/LajmeShqip.com)