Lajme Shqip Thursday, 08 December 2011 17:30

Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, të invalidëve, të veteranëve, të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të familjeve të tyre.

Miratimi u arrit vetëm  pas takimit të kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqit me shefat e grupeve parlamentare,  sidomos opozitës që kishte lëshuar sallën për shkak të mospajtimeve të shumta.

Kjo ishte arsyeja që Lidhja Demokratike e Kosovës lëshoi sot seancën e  Kuvendit të Kosovës.  LDK kërkoi të votohej amendamenti i 17-të i Projektligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, të invalidëve, të  veteranëve, të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të familjeve të tyre.

Ky amendament parasheh përfshirjen në komisionin për verifikimin e kategorive të luftës të një anëtari të Ministrisë së Mbrojtjes të Qeverisë në ekzil.

LDK kishte kërkesa që si veteranë të përfshihen edhe Tahir Zemaj dhe të tjerë. Për këtë arsye ata lëshuan seancën.

Njësoj vepruan edhe deputetët Lëvizjes vetëvendosje dhe ata të AAK-së. Ata nuk janë pajtuar me përjashtimin nga ky ligj të kategorisë së veteranëve të luftës, e cila është lënë për më vonë për shkak të kostos së madhe buxhetore.

Rexhep Selimi nga Vetëvendosje tha se ky është manipulim i radhës nga ana e qeverisë.

Megjithatë kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi takoi ndërkohë shefat e grupeve parlamentare, dhe ka arritur konsensus që të votohet amandamenti 17-të i projektligjit.

Deputetët kanë miratuar edhe në tërësi Ligjin për

statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, të invalidëve, të veteranëve, të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të familjeve të tyre. Kuvendi ndërkohë po vazhdon punimet me pikat e tjera të rendit të ditës.