Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 11:37

Prishtinë – Vënia e veriut të Kosovës si prioritet i EULEX-it nga shefi i këtij misioni nuk po ndodh në realitet. Misioni që udhëhiqet nga gjenerali francez Xavier De Marhnak, nuk po arrin që të instalojë sundimin e ligjit në atë pjesë të Kosovës.

Që nga koha kur Marnhak e ka vënë veriun si prioritet të parë të misionit, ai ka pranuar se nuk ka fuqi që ta kthejë stafin lokal në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës, strukturat paralele serbe kanë uzurpuar edhe ndërtesën e Gjykatës në Zubin-Potok, ndërkaq që të njëjtat struktura kanë shpërndarë me të madhe tabelat e reja për automjete të lëshuara nga Serbia. Në të gjitha rastet, misioni i BE-së nuk ka reaguar siç obligohet me mandatin që ka.

E gjithë kjo situatë, e sidomos shpërndarja e tabelave, për të cilat ai ka dhënë urdhër të konfiskohen gjithandej Kosovës, i kanë ardhur në majë të hundës ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

“Urdhri im është valid. Ne e dimë së kanë shpërndarë tabela, dhe ato do të konfiskohen kudo që ne kemi qasje. Prej EULEX-it…, s’ka hair prej tyre, ruana Zot prej EULEX-it”, ka thënë njeriu që udhëhoqi njërën nga qeveritë e Kosovës.

EULEX-i që nga themelimi, e ka një zëdhënës të veçantë për veriun e Kosovës, të cilin tashmë edhe e ka zyrtarizuar në faqen e internetit. Ndonëse edhe veriu është pjesë e Kosovës, EULEX-i nuk ka dhënë sqarime se pse e ka caktuar këtë zëdhënës për atë pjesë. Njeri që flet në media vetëm për çështjet në veri, nuk ka pasur as UNMIK-u. Ish-misioni i OKB-së në fillimet e veta ka pasur zëdhënës të veçantë për regjione, por nuk ka pasur një njeri që flet vetëm për veriun.