Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 17:20

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Japoni, është pritur në një takim miqësor nga Ministri i Punëve të Jashtme i Japonisë, Koichiro Gemba.

Ministri Hoxhaj ka falënderuar homologun japonez për mbështetjen e gjithanshme që Japonia ka dhënë dhe po vazhdon të jap për Kosovën.

Hoxhaj bëri të ditur se gjatë takimit shumë të frytshëm me Ministrin Gemba, biseda është  fokusuar në dy çështje kryesore.

“Kemi biseduar për përparimin e madh që është bërë gjatë këtij viti për shtimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast, unë kam kërkuar nga Ministri Gemba që Japonia të shtrijë ndikimin e saj në disa ishuj, në mënyrë që edhe ata ta njohin sa më shpejt pavarësinë e Kosovës. Unë, po ashtu kam marr mbështetje nga Japonia për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare,” ka thënë ai.

Ministri Hoxhaj, tha se çështja e dytë për të cilën është biseduar gjatë takimit, ka qenë thellimi i bashkëpunimit mes dy shteteve. “Japonia ka mbështetur Kosovën në periudhat më kruciale. Kemi biseduar se si mund ta thellojmë bashkëpunimin ekonomik duke patur parasysh se Japonia është fuqia e tretë ekonomike në botë. Shumë shpejt do të nënshkruhet Marrëveshja e Sistemit të Përgjithshëm të Preferencave (GSP), e cila do të ndihmojë në lehtësimin e shkëmbimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.