Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 18:58

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka filluar vizitën zyrtare në Arabinë Saudite me takime në Riad me përfaqësues të vendit dhe diplomatë të shteteve të tjera, të akredituar në këtë mbretëri.

Burime zyrtare të MPJ-së kosovare bëjnë të ditur se gjatë takimeve, Ministri Hoxhaj ka vlerësuar lartë kontributin e kamotshëm të Arabisë Saudite për Kosovën.

“Arabia Saudite ka pasur marrëdhënie me Kosovën që nga vitet ’90-te duke qenë ndër shtetet që e ka njohur pavarësinë e Kosovës në gusht të 2009-tës dhe duke i hapur udhë vendosjes së marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve tona”, ka thënë Hoxhaj.

Në ditën e parë të vizitës në Riad, Ministri Hoxhaj ka zhvilluar takime të frytshme me diplomatë dhe përfaqësues të shteteve të Gjirit, të cilët i ka informuar për progresin e Kosovës dhe proceset që e presin në rrugën e konsolidimit dhe forcimit të shtetësisë.

Po ashtu, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, ka zhvilluar takime edhe me diplomatë dhe përfaqësues të lartë të shteteve anëtare të Ligës Arabe, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Gjatë ditës së sotme, Ministri Hoxhaj, është takuar edhe me përfaqësues të shteteve anëtare të Konferencës Islamike, e cila përfshin të gjitha shtetet myslimane në botë, numër i cili arrin në 57.

Gjatë këtyre takimeve, Ministri Hoxhaj i ka informuar diplomatët për procesin e njohjeve të Republikës së Kosovës, për anëtarësimin e saj në institucione politike, financiare dhe kulturore, duke kërkuar nga ta që të kontribuojnë në njohjen e Kosovës nga shtetet islamike që nuk e kanë marrë ende një vendim të tillë.