Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 13:31

Prishtinë – Ministri për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim i Gjermanisë, Dirk Niebel, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, vizitoi të mërkurën pasdite urën e Ibrit, për të parë për së afërmi realitetin në këtë qytet. Ai gjithashtu vizitoi edhe lagjen e Romëve dhe zhvilloi një takim me kreun e komunës.

Zyra e shtypit e komunës së Mitrovicës bën të ditur se ministri Niebel, i cili shoqërohej edhe nga deputetë të Bundestagut, u interesua për situatën në Mitrovicë, për përgatitjet e komunës sa i përket riatdhesimit të kosovarëve, etj. Ndërsa gjatë vizitës në lagjen e Romëve ai ka takuar banorët e kthyer me të cilët ka biseduar për integrimin e tyre.

Kastrati e falënderoi ministrin gjerman për ndihmën e ofruar nga shteti i tij për emigrantët kosovarë dhe për shtetin e Kosovës dhe e njohur atë për përgatitjet që janë duke u bërë për pritjen e qytetarëve që do të riatdhesohen. “Ne kemi marrë masa dhe jemi të gatshëm që të ballafaqohemi me këtë proces”, tha ai.

Ndërsa sa i përket situatës në Mitrovicë, Kastrati tha se ajo është e brishtë si pasojë e funksionimit të strukturave paralele serbe, të cilat vazhdimisht tentojnë të mbajnë një ambient të tensionuar. “Ka probleme meqë nuk funksionon rendi dhe ligji. Qytetarët shqiptarë nuk mund të lëvizin lirshëm në veri, nuk mund të shfrytëzojnë pronat e veta, përderisa në jug është një realitet krejt tjetër për pjesëtarët e të gjitha komuniteteve”, theksoi ai.