Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 16:50

Prishtinë – Nga Mbretëria e Arabisë Saudite, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka udhëtuar në një vizitë zyrtare në Londër.

MPJ e Kosovës bën të ditur se gjatë qëndrimit në Britani të Madhe, ministri Hoxhaj do të ketë takime me personalitete të larta shtetërore, ku në fokus të bisedave do të jetë koordinimi mes dy shteteve në proceset integruese të Republikës së Kosovës në mekanizmat euroatlantikë, procese në të cilat përkrahja e Britanisë së Madhe ka qenë e pazëvendësueshme.

Ministri Hoxhaj, gjatë ditës pritet të takojë  ministrin për Evropën në Mbretërinë e Bashkuar, David Lidington dhe personalitete tjera shtetërore, duke përfshirë diplomatë të shumë të akredituar në Londër.

Vizita e Ministrit të Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës në Britaninë e Madhe, pritet të ketë efekte të rëndësishme në koordinimin e hapave mes dy shteteve për shtimin e numrit të njohjeve dhe forcimin e subjektivitetit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.