Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 14:59

Prishtinë – Janë mbushur gati tri vite nga fillimi i punës së ambasadave e përfaqësive diplomatike nëpër botë dhe Republika e Kosovës ende nuk ka bërë zgjidhje me ndërtesat për këto misione.

Kjo situatë ka bërë që para të mëdha të shkojnë për pagesën e qirasë për objektet që shfrytëzojnë ambasadat, ndërsa vetëm për paga të ambasadorëve dhe stafit diplomatik këtë vit do të jepen 2 milionë euro, kurse 8 milionë tjera do të shkojnë për mallra dhe shërbime.

Ndërkaq bëhet e ditur se disa nga ambasadorët kanë bërë shpenzime të mëdha, për çka edhe iu është tërhequr vërejtja nga institucionet mbikëqyrëse.

Gjatë këtij viti e gjithë Ministria e Punëve të Jashtme ka një buxhet prej 18 milionë eurosh, kurse vetëm për funksionimin e ambasadave janë ndarë 15 milionë euro. Kjo ndarje e madhe e parave për ambasada ka ardhur pasi që shumica e misioneve diplomatike të Kosovës edhe gati tri vite nga fillimi i punës së tyre, vazhdojnë të funksionojnë nëpër zyra me qira.

Pavarësisht shpenzimeve të mëdha që shkojnë për qira dhe faktit se disa herë ishte nisur procesi për blerjen e ndërtesave për ambasada në disa vende ku mund të bëhet një gjë e tillë, tani duket se Ministria e Punëve të Jashtme ka hequr dorë nga blerja së paku për dy vitet e ardhshme.

Mosangazhimi i institucioneve për të pasur disa nga ambasadat tona nëpër botë në ndërtesa të tyre, ka bërë që shteti të ketë shpenzime marramendëse në pagesën e qirave të cilat normalisht, po e dëmtojnë buxhetin e Kosovës.

Por ministri Hoxhaj konsideron se funksionimi nëpër zyre me qira është diçka e natyrshme dhe se kjo ndodh edhe tek shumë vende të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë burime brenda Qeverisë së Kosovës, nën kushte anonimiteti kanë thënë se përveç pagesës së qirave dhe pagave të majme që marrin, disa nga ambasadorët (katër sosh) shpeshherë kanë bërë shpenzime të mëdha dhe për këtë iu është tërhequr vërejtja nga institucionet mbikëqyrëse. Por në Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk bëhet të ditura detajet se si i kanë shpenzuar paratë ambasadat.

Këshilltari i ministrit, Artan Behrami vetëm konfirmon se nga 15 milionë eurot e ndara për këtë vit, për paga të ambasadorëve dhe stafit diplomatik do të jepen 2 milionë euro, kurse 8 milionë tjera do të shkojnë për mallra dhe shërbime dhe pjesa e tjetër për nevoja shtesë.

Ndryshe Ministria e Punëve të Jashtme si prioritet të saj në një periudhë afatmesme ka rritjen dhe forcimin e ambasadës në Uashington dhe në Bruksel, pasi që në këto qendra ka zhvillime më të mëdha si politike dhe ekonomike. Deri më tani, Kosova ka hapur 20 ambasada, nga të cilat disa janë kompletuar e disa tjera punojnë me një staf me numër minimal në shërbimin diplomatik e konsullor.