Lajme Shqip Saturday, 26 March 2011 12:31

Prishtinë – Kreu i diplomacisë së Kosovës Enver Hoxhaj ka bërë të ditur se strategjia për intensifikimin e njohjeve të reja për Kosovën do të jetë e gatshme kah mesi i muajit prill dhe se janë duke u bërë përpjekje që implementimi i saj të fillojë sa më shpejt.

Hoxhaj ka thënë se që në fillim të marrjes së detyrës së tij si ministër i Punëve të Jashtme është marrë vendimi për hartimin e dy dokumenteve strategjike, njëri për definimin e pozitës së politikës së Kosovës në rajon dhe tjetri për shtimin e numrit të njohjeve.

Sipas tij, strategjia për njohje ka për qëllim që të kujtojë arsyet se, përse disa vende të cilat janë duke lëvizur drejt procesit të njohjes po hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, ka theksuar se strategjia lobuese parasheh që presidenti i vendit, kryeministri, kryetari i kuvendit, ministrat, deputetët, shoqëria e civile, akademik, njerëz të medieve, intelektual dhe artistë ta ndihmojnë Kosovën në çështjen e rritjes së njohjeve dhe ta përcjellin një imazh modern të vendit tonë.

Hoxhaj ka bërë të ditur se dokumenti i dytë në të cilin MPJ është duke punuar intensivisht ka të bëjë me hartimin e një strategjie për politikë të jashtme. Sipas tij, dokumenti për politikën e jashtme nuk ka për qëllim vetëm qartësimin e pozitës diplomatike të Kosovës në rajon dhe botë, por edhe marrëdhëniet e mira ekonomike, tregtare e kulturore.

Hoxhaj ka thënë se para çdo vizite të çdo udhëheqësi të lartë shtetëror të Republikës së Kosovës, MPJ bën përpjekje që t’i informojë këto personalitete për vendin, të cilin e vizitojnë, në mënyrë që të ngrihen çështje të natyrës së politikës së jashtme, si për shembull kërkesa për liberalizim të vizave dhe ajo për vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në dhe po ashtu kërkesa për vendosjen e marrëdhënieve bilaterale në mes të vendit vizitorë dhe Republikës.