Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 11:00

Prishtinë – Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Christopher Dell, dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, do të nënshkruajnë sot pasdite një Memorandum të Mirëkuptimit.

Njoftimi nga ambasada thekson se Memorandumi i Mirëkuptimit përvijon përkushtimin e Qeverisë së SHBA-ve për të ndihmuar institucionet e Kosovës të kryejnë reformat që do të çojnë përpara zhvillimin ekonomik të vendit, përfshirë përmirësimet e menaxhimit dhe kapaciteteve teknike në administratën tatimore, promovimin e partnershipeve publiko-private për të financuar infrastrukturën publike, zhvillimin e një kornize ligjore dhe rregullatore për të përparuar një sektor privat konkurrues dhe të diversifikuar, dhe zhvillimin e një fuqie punëtore produktive e të trajnuar mirë, e cila i përgjigjet kërkesave të sektorit privat.

Këto qëllime do të përmbushen në partneritet mes Agjencisë së SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Ministrive të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe agjencive përkatëse.