Lajme Shqip Thursday, 03 May 2012 14:42

Prishtinë -Institucionet kosovare, Kuvendi, Qeveria,  Presidenca dhe subjektet politike, sot e kanë të pamundur të komunikojnë me popullin-publikun përmes medieve, të cilat po i bojkotojnë në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, në shenjë proteste kundër neneve 37 dhe 38 të Kodit të ri penal, të cilat “cenojnë lirinë e shprehjes në Kosovë”.

“Bojkot, sepse Kodi i ri Penal duhet të rikthehet në Kuvend dhe nenet 37 e 38 duhet të hiqen”, theksohet sot në ballinat e gazetave, derisa radiotelevizionet në vend të seancës plenare të Kuvendit e axhendave të tjera të institucioneve e subjekteve politike po transmetojnë drejpërdrejtë e përcjellin aktivitetet e organizatave gazetare, Asocacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës  dhe Unionit të Gazetarëve të Kosovës.

Në këto aktivitete po theksohen vendosmëria e gazetarëve për lirinë e  shtypit dhe vështirësitë e medias në Kosovë,  derisa një nga tetë gazetat e përditshme prej dje ka ngritur çmimin nga 30 në 50 eurocentë me arsyetimin se kjo “është e vetmja mënyrë për të ruajtur pavarësinë autoriale”.

Freedom House edhe këtë vit e ka vlerësuar lirinë e shtypit në Kosovë si pjesërisht të lirë, por me një përparim modest duke ia dhënë notën 49 nga 51 që e kishte në vitin e kaluar. (LajmeShqip.com)