Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 17:43

Prishtinë – Kryeprokurori i Shtetit të Republikës së Kosovës, Ismet Kabashi, priti sot në një takim një delegacion nga Këshilli Gjyqësor i Malit të Zi, i kryesuar nga kryetarja e këtij Këshilli dhe njëherësh kryetare e Gjykatës Supreme të Malit të Zi, Vesna Medenica.

Në takim u bisedua për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen prokuroritë dhe gjykatat në të dyja vendet, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve në përpjekjet për luftën ndaj krimit të organizuar.

Kryeprokurori Kabashi informoi se janë krijuar kushtet normale që prokuroria të jetë institucion i pavarur, ndërsa shtoi se është krijuar task-forca për luftën kundër korrupsionit dhe ajo kundër krimit të organizuar.

Ndërsa, kryetarja Medenica tha se, bashkëpunimi i mirë në fushat e sistemit të drejtësisë është i dobishëm në eliminimin e sfidave gjyqësore për të dyja vendet.

Të dyja palët shprehën bindjen se do të vazhdojnë angazhimin e tyre për bashkëpunim edhe më të ngushtë në fushën e sistemit gjyqësor, në përpjekjet për luftën ndaj krimit të organizuar.