Lajme Shqip Sunday, 22 April 2012 18:54

Prishtinë -Në mëngjesin e 22 Prillit, Ditës së Tokës, malet e larta me dëborën ende të pashkrirë në jug e në perëndim të Kosovës, në rajonin e Brezovicës, Prizrenit e Pejës, shiheshin nga Prishtina në një mot të çiltër me pak re nën shkëlqim dielli, një muaj pas fillimit të pranverës.

Mëngjesi ka nisur me veprimtari për shënimin e Ditës së Tokës, një nga të cilat do zhvillohet në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës Adem Jashari në Prishtinë, ku bëhet mbjellja e fidanëve dhe drunjve dekorativë.

Në Prishtinë,  në prag të 22 prillit është hapur Festivali i Luleve, ndërsa dje dhe sot aktivitetet zhvillohen gjatë tërë ditës në sheshin “Nëna Terezë” dhe në Parkun e Gërmisë, mbështetur nga Programi i USAID-it për Arsim Themelor, me qëllim të promovojnë pjesëmarrjen aktive me vizitorë dhe të inkurajojnë punën vullnetare të të rinjve në aktivitetet e organizuara për nder të Ditës së Tokës.  

Aktivitete me mesazhe edhe për ambient më të pastër zhvillohen në gjithë vendin, përfshirë qytetin më të madh verior, Mitrovicën, ku  pjesëtarët e FSK-së dhe nxënësit kanë mbjellë më shumë se 5.000 fidanë në Kushtovë.

Gjiganti ekonomik, NewCo Ferronikeli, ndaj të cilit ka edhe kritika për ndotje të ambientit, në prag të Ditës së Tokës ka mbjellë fidanë drunjësh dhe ka vendosur kontenjerë për mbeturina në qytetin e Drenasit në krahinën kosovare të Drenicës. (LajmeShqip.com)