Lajme Shqip Wednesday, 20 July 2011 20:18

Prishtinë – Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Albin Kurti, kryetar i komisionit, shqyrtoi propozimin për formimin e Grupit të Miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke pasur parasysh rëndësinë që ka krijimi i këtij grupi dhe thellimi i miqësisë me SHBA-në, e sidomos me Kongresin amerikan, anëtarët e Komisionit e mbështetën njëzëri këtë ide.

Anëtarët e Komisionit vendosën t’i drejtohen Kryesisë së Kuvendit që, konform rregullores për krijimin e grupeve të miqësisë, në njërën nga mbledhjet e saj të radhës, të vendosë për krijimin e Grupit të Miqësisë me SHBA-në.

Ata sugjeruan që të formësohen kriteret për krijimin grupeve të miqësisë edhe me vendet e tjera dhe të rifreskohen me deputetë të rinj grupet e tilla të krijuara në legjislaturat e kaluara, duke shprehur gatishmërinë për angazhime konkrete të komisionit në këtë plan.