Lajme Shqip Saturday, 16 April 2011 14:08

Prishtinë – Derisa ka mbetur edhe një muaj e gjysmë deri në kohën kur maturantët do të përfundojnë mësimin dhe do t’i nënshtrohen testit të maturës, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka nisur të përgatisë broshurat me të cilat ata do të informohen për testin përfundimtar të maturës.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës në Republikën e Kosovës, Nehat Mustafa ka thënë se fushata për informimin e maturantëve për testin e maturës do të fillojë në fund të muajit prill.

Ndryshe nga herët e tjera, sipas Mustafës këtë vit administrimi i testit të maturës  të bëhet së bashku me profesorët universitarë, si dhe organizimi i testit do të bëhet në hapësira më të mëdha, e jo nëpër klasa.

Përparësi për këtë vit do të kenë ata maturant të cilët dëshirojnë të regjistrohen në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, Fakultetin Teknik, drejtimi Makineri dhe Fakultetin e Bujqësisë të cilët sipas Mustafës nuk do t’i nënshtrohen provimit

pranues.

Arsyeja pse këtë përparësi nuk do ta kenë të gjithë maturantët sipas Mustafës është frika nga manipulimi me testet duke u bazuar në përvojat e kaluara dhe kjo është vetëm një testim, në mënyrë që në vitet e ardhshme testi i maturës të jetë i vetmi kusht për regjistrim në universitet.

Sa i përket manipulimeve eventuale gjatë mbajtjes së testit të maturës, Mustafa thotë se testet e tilla do të anulohen, ndërsa ankesat për parregullsi duhet të jenë të bazuara në fakte.

Për t’u përgatitur për testin përfundimtar të maturës që do të mbahet më 4 qershor, maturantët do të kenë mundësi të organizmit të orëve plotësuese dhe sipas Mustafës pyetjet në testin përfundimtar do të jenë në kuadër të mësimeve dhe programeve orientuese të cilat ata i kanë mësuar më parë.