Lajme Shqip Thursday, 20 December 2012 19:18

Prishtinë – Të enjten qindra e mija të rinj nxënës e studentë nga mbarë vendi  mbajtën të ashtuquajturin “Marsh për veriun”, në mbështetje të  sovranitetit, tërësisë territoriale dhe integritetit të Republikës së Kosovës. Me pankarta në duar ata u nisën nga konviktet e studentëve dhe marshuan deri në sheshin Nëna Terezë.

“Ne si të rinj assesi nuk bën që të qëndrojmë duarkryq. Është tepër e rëndësishme që të organizohemi në mbrojtje të sovranitetit tonë, sepse çdo ditë e më tepër shtetit tonë po i zvogëlohet sovraniteti përderisa veriut të vendit po i fuqizohet autonomia. Ne nuk do ta pranojmë asnjë marrëveshje të negociatave për veriun, sepse secila marrëveshje me këtë Serbi është në dëm të Kosovës.

Sovraniteti është vullnet i popullit. Populli është burim i sovranitetit. Populli është zot shtëpie. Sovraniteti është zotshpillëk. E ne qytetarët e Republikës duhet të jemi të zotët e kësaj shtëpie, të kësaj toke e këtij vendi, veri e jug, lindje e perëndim. Republika është e publikut dhe publiku jemi ne.

Veriu, është veriu i vendit tonë. Është e kaluara e përpjekjeve për çlirim, liri e barazi. Është histori përpjekjesh, është ekonomi e popullit tonë. Ne të rinjtë dhe të rejat nuk do të lejojmë që për vendin tonë, për ardhmërinë të pyeten të tjerët e aq më pak të bëhen pazare. Në të rinjtë e të rejat  e vendit i bëjmë thirrje institucioneve të Republikës të mos pranojnë asnjë lloj diskutimi për dhe mbi Republikën. VERIU është Kosovë, Mitrovica është Kosovë. Kosova nuk është Kosovë pa Veri, pa Mitrovicë!”, u tha pos tjerash në deklaratat e nxënësve dhe studentëve.(LajmeShqip.com)