Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 14:06

Prishtinë -Shefi i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi konsideron se forcat e rendit janë duke kontrolluar gjithë territorin e Kosovës dhe se po punojnë maksimalisht që sa më parë të barten kompetencat ekzekutive nga misionet ndërkombëtare.

Në një intervistë për Kosovapress, Maliqi ka folur për shumë çështje, ndërsa u ka bërë me dije të gjithë atyre që mendojnë të veprojnë në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës, se do të përballen fuqishëm me forcat e rendit.

Staistikat dëshmojnë se krahasuar me vitet 2009 dhe 2010, këtë vit në tremujorin e parë Policia e Kosovës ka shënuar rezultate më të mira në luftimin e korrupsionit, krimeve ekonomike dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
Si rezultat i përmirësimeve dhe ngritjes profesionale tashmë një pjesë e kufirit të Kosovës nga kompetencat e KFOR-it ka kaluar tek Policia e Kosovës, e cila suksesshëm po kryen këtë detyrë.
Maliqi vlerëson se ky është një tregues që Policia Kufitare është duke u fuqizuar në ruajtjen e brezit kufitar dhe se pas marrjes së kompetencave në kufirin me Maqedoninë, nga muaji gusht-shtator do të merren kompetencat edhe në pjesën me Malin e Zi, mandej edhe me Serbinë.
Por pavarësisht sukseseve të shënuara në shumë fusha, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi tregon se misioni EULEX edhe pse ka kërkuar asistimin e tyre, nuk ka qenë sa duhet bashkëpunues, sidomos në rastet e arrestimeve të ish pjesëtarëve të UÇK-së dhe komandantit të stacionit në Prizren.
Në këtë rast, Maliqi tha se synim kanë dhe po angazhohen që sa më parë të gjitha kompetencat ekzekutive të EULEX-it të barten te Policia e Kosovës, pasi që ky mision nuk duhet të jetë gjithmonë në Kosovë.
Kurse ristrukturimi i Policisë së Kosovës, siç thotë drejtori Maliqi do të bëhet gjatë këtij viti, sepse kështu sigurohet ngritje e efikasitetit në punë dhe implementim më i lehtë i misionit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Sipas tij, janë duke u bërë përpjekje maksimale që në muajin shtator të jetë gjithçka e gatshme për të filluar me procesin e gradimeve.

Ndërkaq duke komentuar incidentin që ndodhi pas ndeshjes së basketbollit, Sigal Prishtina-Bambi, drejtori Maliqi thotë se përveç dy suspendimeve edhe ndaj 5 policëve tjerë janë duke u bërë hetime dhe në të gjitha rastet ku gjendet se ka tejkalim të përdorimit të forcës do të marrim masa.

Ndryshe Policia e Kosovës ka mbi 8 mijë pjesëtarë, të cilëve prej muajit mars Qeveria e Kosovës u ka ngritur pagat prej 40 për qind. Drejtori Reshat Maliqi vlerëson se kjo rritje e të ardhurave për policët do të reflektohet edhe në rritjen e efikasitetit në punë.