Lajme Shqip Sunday, 10 July 2011 07:36

Prishtinë – Ministri i Diasporës i Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli, vizitoi sot pikën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, në Vërmicë-Morin, ku u takua me drejtuesit e Policisë Kufitare dhe ata të Doganave për t’u njohur nga afër me masat që këto dy institucione kanë ndërmarrë në këtë kohë të shtimit të fluksit të ardhjes së mërgimtarëve.

“Jemi të bindur në efikasitetin e policisë kufitare dhe të doganave në këtë kohë kur shtohet numri i hyrjeve të mërgimtarëve tanë që vijnë në Kosovë, por ne kërkojmë lehtësim të kalimit për ta, fleksibilitet aq sa lejon ligji”, tha Makolli.

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ka parë edhe procedurat e pajisjes së mërgimtarëve me polisa të sigurimit në kufi, ku po ashtu nga kompanitë e sigurimit kërkoi rritjen e kapacitetit të tyre me shtimin e numrit të personelit.

Makolli bisedoi edhe me mërgimtarët që hynin në Kosovë, duke marrë informacione lidhur me trajtimin e tyre në pikën kufitare të Vërmicës, i cili është vendkalimi kufitar më i frekuentuar.

Ministri Makolli, bisedoi për procedurat e kalimit edhe me autoritetet policore kufitare të Republikës së Shqipërisë.

Automjetet që qarkullojnë në këtë pikë kufitare, sipas marrëveshjes së dy qeverive, i nënshtrohen vetëm një kontrolli. Ato që hyjnë në territorin  e Kosovës, i nënshtrohen kontrollit kufitar nga autoritetet kosovare, ndërsa ato që dalin nga Kosova i nënshtrohen kontrollit kufitar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë.