Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 14:22

Prishtinë – Kryesuesi i Komisionit për reforma zgjedhore Haki Demolli tha se do respektohen afatet e përcaktuara ligjore për përgatitjen e ndryshimeve në ligjin për zgjedhjet.

Sipas tij, ndryshimet e këtij ligji do të koordinohen edhe me komisionin për reformën kushtetuese, sidomos për mënyrën e zgjedhjes së presidentit.

Demolli tha se amendamentimi i Kushtetutës si dhe plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit mbi Zgjedhjet e Përgjithshme, do të përfundojnë në suaza të kornizës kohore të përcaktuar nga Kuvendi, gjë që nënkupton se edhe koha për përgatitjet dhe zhvillimin e procesit të zgjedhjes së presidentit do të jetë e mjaftueshme.

Ai thotë se do të ketë një koordinim dhe bashkëveprim të sforcuar ndërmjet Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës dhe Komisionit për ndryshimin e Ligjit mbi Zgjedhjet  e Përgjithshme, sepse fillimisht, duhet ta ndryshojë nenin 86 i Kushtetutës me të cilin përcaktohet procedura e zgjedhjes së Presidentit, e më pastaj Komisioni tjetër ta shqyrtojë nevojën e përshtatjes së Ligjit mbi Zgjedhjet e Përgjithshme me ndryshimet në  Kushtetutë.