Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 16:30

Prishtinë-Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë paralajmëruar kohë më parë se Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve do të hyjë në fuqi në shtatorin e këtij viti, por zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka shuar shpresat se një ligj i tillë do të fillojë të implementohet këtë vit.

Ai tha se funksionimi i tij i plotë do të nisë vetëm në janar të vitit 2013.

Për t’u funksionalizuar plotësisht ky ligj, sipas Kuçit, kërkohet mbështetje buxhetore. Sipas tij, disa pjesë të këtij ligji kanë hyrë në fuqi, por i teri do të fillojë të implementohet vetëm në vitin 2013.

Anëtari i Komisionit parlamentar për legjislacion, Armend Zemaj tha se implementimi i këtij ligji është sfidë për drejtësinë në Kosovë.

Sipas tij, Ministria e Drejtësisë dhe organet tjera, duhet të kenë një bashkëpunim më të madh me institucionet ndërkombëtare të cilat financojnë projekte që kanë të bëjnë me mbrojtjen e dëshmitarëve, por edhe të krijojnë partnertet të shkëmbimit të dëshmitarëve me vendet e ndryshme.

Ndërsa avokati Tomë Gashi tha se ky ligj do duhej të miratuar menjëherë pas luftës, ngase është një prej ligjeve më prioritare për drejtësinë.

Gashi tha se ky ligj nuk duhet të keqpërdoret nga ndokush që për shkak të gjendjes ekonomike, të paraqitet si dëshmitar i mbrojtur apo bashkëpunues me qëllim të largimit nga Kosova.

Ndryshe, në kuadër të zbatimit të këtij ligji dhe përgatitjes së infrastrukturës së domosdoshme, tashmë është formuar njësiti për dëshmitarët e mbrojtur në Policinë e Kosovës, por me kompetenca për EULEX-in të cilat institucionet e Kosovës synojnë që t’i marrin së shpejti. (LajmeShqip.com)