Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 13:55

Prishtinë – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerëson se ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, e ka bërë moto të mospunës së tij ndryshimin e qëndrimeve. Madje subjekti më i madh opozitar, konsideron se, njësoj si Qeveria, ashtu edhe ministri Rexhepi, çdo ditë paraqitet me deklarime kontradiktore, me të cilat krijohen huti në opinion dhe dëshmohet se Qeveria nuk ka platformë pune, nuk ka vizion dhe as seriozitet.

Gjithë këto vlerësime të LDK-së janë bërë përmes një kumtese për media, duke komentuar deklaratat e fundit të ministrit Rexhepi se Policia e Kosovës do të jetë tolerante dhe nuk do t’i konfiskojë dokumentet e reja të Serbisë, që iu lëshon serbëve të Kosovës deri në zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes Prishtinës e Beogradit.
Sipas LDK-së, kjo dëshmon edhe një herë se kjo Qeveri po rrezikon seriozisht elementet e shtetësisë së Kosovës.
“Ministri Rexhepi, si duket i ka harruar deklaratat “e forta” dhe vendimin e tij (sa ishte në dorëheqje) për konfiskimin e targave të Serbisë, të lëshuara për rajonet e Kosovës”.
LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së PDK-së që të mos i dëmtojë interesat e vendit, të institucioneve dhe të qytetarëve tanë.
Më tutje, LDK-ja konsideron se çështjet e shtetit nuk guxojnë të bëhen objekt deklarimesh joserioze dhe të papërgjegjshme.
“Këto nuk janë çështje private të Rexhepit e as vetëm çështje të Qeverisë, por u takojnë të gjtha institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”.