Lajme Shqip Sunday, 10 April 2011 08:49

Prishtinë – Shefi i shërbimit diplomatik të Bashkimit Evropian për Ballkanin, Mirosllav Lajçak përkohësisht do ta kryejë detyrën e të dërguarit të posaçëm të Unionit për Kosovën, pasi që nga fundi i këtij muaji do të përfundojë mandati i Piter Fejthit.

Tash kur Kosova, me ndërhyrjen e ambasadorit amerikan, Kristofer Dell, ka zgjidhur, së paku përkohësisht, krizën institucionale, radhën e ka Bashkimi Evropian për të qartësuar strukturën e pranisë në Kosovë, në bazë të ristrukturimit që e kërkon Traktati i Lisbonës.

Në parim, përfaqësuesit specialë të BE-së, në të gjitha vendet ku ekzistojnë, do të jenë edhe shefa të delegacioneve të Komisionit Evropian, delegacione që krijohen për të unifikuar prezencat e BE-së, ashtu siç e kërkon traktati.

Për Kosovën ende nuk është shpallur konkursi për këtë vend pune. Burimet diplomatike të shteteve anëtare pohojnë se, sipas të gjitha gjasave, në Kosovë, së pari, do të bëhet një shpallje për shefin e Zyrës së Komisionit Evropian.

Ky vend tashmë është i lirë, pasi që ish-shefi i ECLO, Renco Davidi, ka lënë Kosovën dhe është emëruar në Sarajevë si “numri dy” në delegacionin e ri të BE-së.

Në BE është përpiluar plani, sipas të cilit, “përkohësisht” Mirosllav Lajçak, drejtor menaxhues në BE për Evropën Lindore, Rusinë dhe Ballkanin, nga Brukseli do të kryente rolin e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për Kosovën, derisa të mos sqarohet statusi i pranisë së BE-së dhe bashkimi i dy pranive në një kapelë të vetme.

Disa diplomatë pohojnë se kjo mund të konsiderohet si një fitore e vendeve që nuk e njohin Kosovën si shtet.