Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 16:50

Partitë opozitare në vend thanë sot në Kuvendin e Kosovës se qeveria ka dështuar në integrimin e veriut të vendit dhe si pasojë tashmë po ndodhin edhe incidente ndëretnike.

Opozita  kosovare vlerësoi sot në seancën parlamentare se qeveria e Kosovës ka dështuar në integrimin e pjesës veriore të vendit.  Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkoi që qeveria ta ketë një plan gjithëpërfshirës, në mënyrë që mbrojtjen e tyre të mos e marrin në duart e tyre qytetarët e atjeshëm.

Për këtë shkak, Isufi kërkoi nga qeveria punë konkrete dhe të mos merret vetëm me deklarata boshe në Prishtinë.

Ndër të tjera, deputeti i AAK-së Isufi ka kërkuar nga qeveria që për çështje që kanë të bëjnë me territorin e vendit, në planifikime të përfshihen edhe partitë opozitare.

Ndërkohë Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike  e Kosovës ka kërkuar sqarime nga qeveritarët se pse marrëveshjet e arritura në bisedimet teknike me Serbinë po implementohen vetëm nga shteti i Kosovës, por jo edhe nga Serbia. Osmani në këtë rast përmendi tabelat e veturave dhe lëvizjen e lirë që nuk po zbatohen nga shteti serb.

Në seancën e ditës së sotme ligjvënësit kanë hequr nga rendi i ditës rastin Kiçina, e cila duhej të ishte shqyrtuar. Kjo është bërë me qëllimin për të mos interferuar në gjyqësi. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se një vendim i tillë për shtyrje është marrë në koordinim me shefat e grupeve parlamentare.