Lajme Shqip Tuesday, 01 May 2012 09:30

Prishtinë – Pikëpyetjet për 1.781 të zhdukurit e pagjetur kosovarë 13 vjet pas luftës, që rrinë pezull të shkruara me zi në të bardhë në sheshin kryesor të Prishtinës, në këtë fillim maji do të “kalojnë” në Kuvendin e Kosovës.

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e përbashkët me shefat e grupeve parlamentare, dje pasdite, ka vendosur që në seancën plenare më 3 maj deputetët të shqyrtojnë rekomandimin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione për debat parlamentar lidhur me çështjen e personave të zhdukur.

Ndërsa, në seancën plenare të 10 majit në rendin e ditës do të jetë interpelanca me zv/kryeministren Edita Tahiri lidhur me fatin e të zhdukurve në raport me bisedimet me Serbinë, në Bruksel, sipas kërkesës së grupit të deputetëve nënshkrues.

Në kërkim të të zhdukurve, nga autoritetet vendore në Kosovë dhe EULEX paralajmërohet se këtë vit do të bëhen kërkime në më shumë se 30 lokacione potenciale.

Në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë që nga 27 prilli-Dita e të Pagjeturve të Kosovës, qëndrojnë të varura 1781 pikëpytje të vendosura aty nga “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë” dhe “Nisma Ime”,  për t’u drejtuar mesazh të gjithëve për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Në Kosovë 27 prilli shënohet si Dita e të Pagjeturve, ditë kjo kur në vitin 1999, në Mejë, afër Gjakovës,  forcat serbe kanë rrëmbyer nga kolonat e refugjatëve dhe masakruar e zhdukur 377 shqiptarë. Asnjëri nga të ndaluarit në rrethimin e hekurt nuk arriti të dilte i gjallë. Ajo ishte një nga kolonat e shumta të spastrimit etnik, të rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, shumica e tyre drejt Shqipërisë. Në vitet 1998-’99 në Kosovë forcat serbe vranë e masakruan rreth 12 mijë shqiptarë,  e mijëra të tjerë i zhdukën, duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur.  Menjëherë pas luftës kanë rezultuar mëse 5.650 persona të zhdukur.

Pas zbulimit të disa varrezave masive në Serbi, autoritetet e Beogradit kanë kthyer në Kosovë mbetjet mortore të 707 shqiptarëve në 18 kontigjente të veçanta, si dhe 90 qeske me mbetje mortore. Në majin e para dy viteve Komisioni Qeveritar i Prishtinës për Persona të Pagjetur deklaronte se ka informacione për më se 450 shqiptarë kosovarë të groposur në rajonin e Rudnicës afër Rashkës në Serbi, pranë kufirit verior të Kosovës, ku Beogradi njoftonte zbulimin e varrezës masive me rreth 250 trupa. Por, hulumtimet në Rudnicë ende nuk kanë dhënë rezultatet e pritura, ndërsa janë ngritur dyshime edhe për vendndodhje të tjera të varrezave masive në Serbi.