Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 20:09

Prishtinë – Kuvendi i Kosovës funksionon dhe mund të mblidhet brenda 24 orëve nëse kërkohet nga grupet parlamentare, njoftuan burime zyrtare nga parlamenti kosovar.

Theksohet se “megjithëse me vendim të Kryesisë, nga 1 deri më 19 gusht është dhënë pushim vjetor për deputetët, Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon ta ushtrojë funksionin e tij kushtetues”.

Bëhet e ditur se nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, zëvendëson përkohësisht kryeparlamentarin Krasniqi në krye të legjislativit të vendit. Sekretaria dhe Administrata e Kuvendit gjithashtu vazhdojnë punën rregullisht.

Eshtë paralajmëruar se nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka thirrur për të mërkurën mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Para se deputetët të shkonin me pushime, në një seancë plenare të jashtëzakonshme më 28 korrik, Kuvendi i Republikes së Kosovës miratoi një rezolutë për gjendjen në pjesën verore të Kosovës, në të cilën “mbështet të drejtën kushtetuese të institucioneve për ushtrimin e kontrollit të plotë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”. (LajmeShqip.com)