Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 19:25

Prishtinë – Ligjëvënësit kërkuan nga qeveria që të ndërmarrë hapat e domosdoshëm për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe në Europol.

Parlamenti debatoi sot për bashkëpunimin me këto organizata dhe deputetët vlerësuan se Kosova duhet të marr vetë përgjegjësitë në lëmin e sigurisë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz Lladrovci, si iniciator i debatit për përfshirjen e Kosovës në Interpol, tha se tre vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova duhet të marrë vetë përgjegjësitë në fushën e sigurisë.

Ai inkurajoi institucionet vendore që të kërkojnë ndihmën e BE-së dhe të SHBA-ve për anëtarsim në Interpol dhe Europol.

“Kërkoj që sa më parë të dorëzohet kërkesa për anëtarësim sipas procedurës respektive që ka kjo organizatë e sigurisë”, tha Lladrovci.

Deputetët thanë se fletëarrstet e lëshura nga Serbia qysh në kohën e Millosheviqit, ndaj disa  drejtuesve të  UÇK-së, janë përpjekje për të dëmtuar luftën e saj çlirimitare.

Ahmet Isufi nga AAK tha se tash e 12 vjet qytetarë të thjeshtë dhe personalitete të Kosovës ndalohen pa të drejtë nga Interpoli, sipas fletarresteve serbe.
Por, Rexhep Selimi i Vetvendosjes ka fajsuar Institucionet e Kosovës të cilat kanë hyrë në bisedime me Serbinë, derisa ajo po i rifreskon listat dhe rritë ambiciet për Kosovën. Rexhepi  tha se si njëri ndër të dënuarit në mungesë ,nuk do të pranonte amnestimin e tij në tavolinën e negociatave.
“Ne kurrë nuk do t’ia falim Serbisë atë që ka bërë ndaj popullit të Kosovës. As unë, as ndonjë shqiptar nuk do t’ia falë Serbisë atë që ka bërë. Ne nuk duhet t’ia falim përderisa Serbia nuk është e dënuar për krimet që ka bërë në Kosovë”, ka thënë Selimi.
Ligjvënësit e Kosovës kërkuan nga Ministria  Brendshme që deri në qershor të informojë Kuvendin se ku kanë arritur procedurat për antarësim në Interpol dhe Europol.