Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 11:30

-Hiqet nga rendi i ditës shqyrtimi i Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit.

Kuvendi i Kosovës ka filluar sot seancën plenare, ku në rend dite ka interpelancën me ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, kërkuar nga Grupi parlamentar i lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me masat e reciprocitetit me Serbinë. E nga rendi i ditës është hequr shyqrtimi i Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit.  

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e rregullt në të cilën pritet të shqyrtohen dhe miratohen disa projektligje dhe poashtu edhe interpelanca me Mimoza Kusarin, ministren e tregtisë dhe industrisë kërkuar nga Vetëvendosja. Në kuadër të deklarimeve jashtëparlamentare, deputeti i LDK-së, Haki Demolli, kërkoi nga Qeveria dhe Ministria e arsimit që të fillojë urgjentisht hetimet lidhur me falsifimet që po bëhen në sistemin arsimor të vendit.

I menjëhershëm ishte reagimi i ministrit të arsimit, Ramu Buja, i cili theksoi se ai tashmë e ka kërkuar fillimin e hetimeve në të gjitha komunat e vendit, për të verifikuar të gjitha diplomat e lëshuara.

Në seancën e sotme pritet të shqyrtohen edhe disa projektligje në lexim të parë. Seanca vazhdon me debate të ashpra.

*******************************

Prishtinë – Kuvendi i Republikës së Kosovës filloi sot paradite një seancë plenare, në të cilën do të mbahet interpelanca lidhur me masat e reciprocitetit me Serbinë, e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.

Në seancë do të shqyrtohen gjithashtu shtatë projektligje, por me  propozimin nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare deputetët votuan për heqjen nga rendi i ditës të shqyrtimit të parë të Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit.

Kjo është një nga tre seancat plenare të Kuvendit të Kosovës që do të mbahet brenda katër ditësh.

Nesër, në një seancë të veçantë,  Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, do t’i drejtohet  deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Seanca solemne për 10-vjetorin e punës së Kuvendit të Kosovës mbahet  ditën e shtunë, më 10 dhjetor.